Ditën e diel, më 19 shkurt u mbajt bootcamp i sipërmarrjes në Tiranë, në kuadër të Youth Entrepreneurship Education Programme (YEEP), organizuar nga Changemakers Albania, në bashkëpunim me MeOut Group, financuar nga Bashkimi Evropian.
Bootcamp është konceptuar për të frymëzuar, edukuar, orientuar dhe motivuar të rinjtë që pëlqejnë sipërmarrjen nëpërmjet historive dhe këshillave të trajnerëve pjesëmarrës, figura të shquara në fushën e sipërmarrjes në Shqipëri.
Eventi nisi me një prezantim të programit dhe axhendës nga Drejtoresha Ekzekutive e Changemakers Albania, znj. Reila Bozdo, si dhe mori fjalën e tij përshëndetëse z. Adam Eross, koordinator projekti i MeOut Group.
Më pas, znj. Rafaela Rica, sipërmarrëse dhe themeluese e Iceberg Communication zhvilloi sesionin e parë të bootcamp-it. Znj. Rica ndau me të rinjtë historinë e saj frymëzuese, duke i motivuar ata të shikonin kudo për mundësi të reja që mund të kthehen nga ide në biznese të suksesshme. Duke cituar Steve Jobs, ajo tha se baza kryesore e liderëve të së ardhmes është edukimi, ndaj këmbëngulte që të rinjtë pjesëmarrës të lexonin dhe të ishin gjithmonë kuriozë për të mësuar më tepër.
Sesioni i dytë, niste me z. Gentjan Shaqiri, trajner dhe pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Z. Shaqiri nëpërmjet lojërave interaktive, përçoi tek të rinjtë mesazhin se lidershipi bazohet në komunikim dhe se cilësia e jetës sonë është në përpjesëtim të drejtë me komunikimin tonë. Ai gjithashtu iu tha pjesëmarrësve se të qenit një lider i suksesshëm ka të bëjë me punën në grup, duke e lejuar dikë tjetër të tregojë veten, pasi në thelb lidershipi është një marrëdhënie reciproke.
Një tjetër trajner i ftuar në bootcamp, ishte z. Dritan Mezini, sipërmarrës, trajner dhe Drejtor Ekzekutiv i DM Consulting Services. Z. Mezini i motivoi të rinjtë duke i shtyrë ata të përdorin internetin dhe përfitimet e mahnitshme që vijnë prej tij, pasi nëse dija nuk bashkëshoqërohet me veglat digjitale, atëherë edhe idetë më të mira janë të destinuara për të dështuar.
Sesioni i fundit i bootcamp-it përfundoi me znj. Reila Bozdo, pedagoge dhe konsulente biznesi, e cila iu foli të rinjve për rëndësinë e marketingut dhe se sa e rëndësishme është dija për secilin që dëshiron të ketë sukses në fushën e sipërmarrjes. Ajo nuk ngurroi të thoshte se edhe dështimet duhet shijuar, pasi janë pikërisht ato çastë që ndihmojnë për të luftuar dhe mos u dorëzuar para sfidave.
Bootcamp i sipërmarrjes do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera në qytetin e Elbasanit dhe Durrësit. Për më shumë informacion klikoni këtu.
0 Comments